Shpeshtohen deklaratat për një takim të mundshëm mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. Pas gatishmërisë së shprehur nga Tadiq, edhe kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur sërish gatishmërinë që të takohet me presidentin serb Tadiq. Ai i ka thënë gazetës Express se me Tadiqin do të diskutonte vetëm për njohjen e Kosovës.
“Në takimin e mundshëm me presidentin Tadiq, unë e kam vetëm një pikë të diskutimit – njohjen reciproke, të tjerat janë çështje që mund të rregullohen me raporte ndërshtetërore sikur me të gjitha vendet fqinje. Por, ky takim do të ishte në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, dhe perspektivës euroatlantike të dy shteteve tona dhe të mbarë rajonit”, ka thënë Thaçi.
“Takimi ynë nuk do të duhej të kuptohej si betejë për ta mundur njëri –tjetrin, Kosova Serbinë, ose e kundërta, sepse kjo betejë është mbyllur në qershor të vitit 1999 dhe rezultatin e di e gjithë bota. Ky takim eventual mund t’i shërbejë së ardhmes më të mirë të popujve dhe shteteve tona”, ka shtuar Thaçi për gazetën.
Mundësia e një takimi Thaçi –Tadiq është aktualizuar ditëve të fundit pas deklarimeve të kreut të qeverisë së Kosovës se nuk ka ndonjë problem ta takojë Tadiqin, pasi takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.


