Gazetarja dhe humanistja Sanije Gashi shpjegon librin e saj “Histori të tmerrit 1998-1999”
Ndryshe nga shumica e njerëzve që deheshin me lirinë pas aq vjetësh robërimi, ndryshe nga ata që ua mësynin qyteteve të mëdha kosovare për ta vazhduar jetën, Sanije Gashi që në vitin 1999 nisi një udhëtim me kahje të kundërt. Një udhëtim krejt tjetër. Një udhëtim faktembledhës. Nga Prishtina drejt ish-zonave të luftës.
Me ndjesinë e fuqishme prej nëne, me dëshirën që të mos humbiste asgjë, e që të gjitha që ndodhën të thuheshin me zë, ajo mblodhi me durim rrëfimet tronditëse të grave shqiptare që në mënyra të ndryshme përjetuan tmerret e luftës. Të gjitha këto si një “buqetë lotësh” i përmblodhi në librin e saj “Histori të tmerrit 1998-1999”, të botuar tash së voni, dhjetë vjet pas asaj çmendurie.
Kur njeriu e lexon këtë libër përkulet me respekt para gjithë atyre heroinave që rrokën armët dhe veshën uniformën e UÇK-së, para gjithë atyre nënave që me trupat e tyre mbrojtën deri në fund jetën e fëmijëve, para gjithë atyre që ndejtën në shtëpi edhe kur burrat ikën dhe përjetuan dhunë shtazarake, e mbetën gjallë “për me tregue”…
Kur e lexon këtë libër njeriu e kupton se atdheu është më shumë i grave. Se ato si në legjendën e lashtë janë murosur edhe në luftën e fundit, që kështjella e Kosovës të qëndrojë në këmbë.
Gazetarja e njohur prishtinase thotë me modesti se vetëm ka kryer detyrën e saj. Ajo nëpërmjet Gazetës “Tung” kërkon edhe një herë që të ndërtohet një shtatore gruaje për të gjitha ato që vuajtën, një shtatore që do t’u bëjë nder të gjitha përmendoreve ekzistuese në Kosovë. Një shtatore që ende askush nuk po e ndërton…
Gazetari i vërtetë ndihet njësoj si populli të cilit i takon
Keni një përvojë të gjatë jete, gazetarie dhe bëmash njerëzore. Çfarë mund të thoni për këto tri jetë tuajat të shkrira brenda një jete te vetme?
Së pari, duhet ta pranoj se e kam vështirë të flas ose të shkruaj për vetveten, më besoni! Ngase, për këto 45 vjet gazetarie, gjithnjë shkrova për të tjerët, trajtova tema me halle, brenga, suksese, ngritje të të tjerëve, që, te rastet e rënda edhe unë ndjeja vështirësi, dhembje, ndërsa te sukseset – kënaqësi. Në kohën e lëvizjes gjithëshqiptare (1990), kur Kosova pati okupim klasik, iu bashkëngjita me gjithë shpirt kësaj lëvizjeje, që të jepja kontributin tim në këtë aspekt, jo veç si gazetare, po edhe si veprimtare, gjë e cila pas një kohe i pengoi autoritet e atëhershme serbe, prandaj dhe më burgosën. Këto dhe e përmbajnë jetën e një gazetari, veç punës së përgjithshme, shoqëruar me shumë peripeci të tjera por edhe me përjetime të këndshme jetësore…
Libri “Histori Tmerri të Viteve ’98-’99” është përmbledhje e dokumentuar krimesh të shumëllojta kundër gruas shqiptare gjatë luftës dhe pjesa më e ndritshme e biografisë suaj. A ishte vështirë të mblidheshin gjithë ato fakte?
Kur njeriu i hy një obligimi njerëzor me përkushtim dhe me arsye të madhe, atëherë nuk ka punë që nuk i dilet në krye. Këtë punë, domethënë mbledhjen e fakteve, rrëfimeve, përjetimeve, siç thuhet, nga dora e parë, e kam nisur menjëherë pas luftës. Kam shkuar fshat më fshat, e qytet më qytet, për t’i marrë rastet më të rënda, ndonëse secili rast ishte më i rëndë se tjetri! Ishte kohë kur njerëzit, gratë e vajzat, ishin me pasoja të mëdha lufte, që ishte rëndë t’i kthenin, t’i kujtonin makabritetet që i kishin përjetuar në trupin e tyre, te familjarët. Dhe, të gjitha që rrëfyen për ngjarjet tragjike, paraqesin histori rrëqethëse!
Fola me viktimat si nëna me vajzën ose si e bija me të ëmën
Të gjithave pa dallim u nxorët diçka më shumë, diçka shtesë, diçka që nuk ua thanë kurrë të tjerëve, bile as vetvetes. Si e mbërritët këtë, si e krijuat këtë afërsi?
Me secilën prej tyre jam ulur e kam biseduar shumë njerëzisht, si nëna me vajzën, si bija me nënën… Mbase, kur njeriu e sheh seriozitetin e tjetrit, dhe qëllimin njerëzor të bisedës, çlirohet të të shpreh të gjitha bëmat çnjerëzore të armikut që i patëm gjatë luftës, të rrëfehet për gjithë atë që ka përjetuar. Këto gra e këto vajza gradualisht i hapën plagët e tyre të rënda… Ishte ky edhe një çlirim shpirti, një zbrazje, sa që në fund, bisedën e përfundonin me shumë falënderim: Zoti të ndihmoftë ty që na ndihmove të zbrazeshim, bile për disa orë dhe që të mos harrohen vuajtjet tona…
Nga këto takime me viktimat keni shumë kujtime, mbresa personale. Cilat nga këto nuk do t’i harroni asnjëherë?
Secilin rast po ta marrësh, është lemeri më vete, që vështirë të harrohet ndonjëherë! Rasti i Poklekut, për shembull, ku i mbyllin në një dhomë 56 veta, gra, nuse, vajza, prej tyre 23 fëmijë, u hidhen granata dhe benzina, u shtinë flakën; ose rasti i Berishëve të Suharekës, i Vejsave të Gjakovës…ku këto familje veç pushkatimeve, karbonizohen; ose rasti i 5 vajzave e 3 grave të Qirezit, të cilat çnjerëzohen dhe përfundojnë në bunare, të tmerron, të rrëqeth! Veçse mund të them se pas çdo rasti, pas çdo takimi me këto gra, kam pasur çrregullim gjumi e ushqimi, së paku për dhjetë ditë e net…
Nga rrëfimet e grave tmerrohet edhe tmerri!
Jeni bërë zë i fuqishëm i atyre që heshtin, i atyre që e mbajnë brenda tmerrin që kaloi nëpër to. Sa është e vështirë ta keni e ta kryeni këtë mision?
Ndonëse punë me shumë vështirësi, që here-herë ta ndalte frymën, unë, si gazetare dhe si njeri, kam ndier obligim moral, njerëzor, fisnik, që t’i hyjë një misioni, ani që të rëndë, të shpërfaq gjithë heqjet, gjithë vuajtjet e popullit tim! Nuk e kuptoj heshtjen e një vuajtjeje kaq të gjatë dhe të masakrave kaq tmerruese ndaj shqiptarëve. Libri është ai që mbetet dokument i përjetshëm, pjesë e historisë së Kosovës, jo vetëm për ne që e përjetuam, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, për ata që do të lindin edhe pas 50 a 100 vjetësh… Nuk duhet të harrohet lufta e Kosovës, kurrsesi. Ky është qëllimi i librit.
Serbët që moti nëpër planet e tyre shfarosëse i patën shënjestruar gratë shqiptare. Nga përvoja juaj në terren, a mund të thuhet se gratë e fituan luftën speciale që bëhej ndaj tyre?
Pjesa që duhet përmendur e regjistruar patjetër janë – dhunimet e grave, dhunimet e vajzave! Ishte kjo një luftë speciale ushtruar në mënyrë shumë shtazarake ndaj tyre.
Dr. Skender Boshnjaku, neuropsikiatër i njohur, që ka kontaktuar me viktima, të cilat kanë shkuar të kërkojnë “derman” te doktori pas përjetimeve të tilla, thotë: ‘Femra e dhunuar seksualisht, edhe njëmijë vjet jetë n’i pastë, kurrë më nuk do të jetë ajo që ka qenë!’ A mund ta imagjinoni, për shembull, çnjerëzimin e vajzave-fëmijë, virgjëresha 12-13 vjeçe dhe të tjerave, piskama e të cilave i shembte kulmet e shtëpive! – siç pohon nëna e dhunuar, me të cilën kam biseduar sy më sy! Këto nuk duhet të harrohen. Politika dhe terrori serbian në programin e tyre patën shfarosjen e drejtpërdrejtë të gruas!…
Të ndërtohet një shtatore gruaje për të gjitha ato që vuajtën
Duke qenë se ndejtën nëpër shtëpi, duke qenë se nisën përsëri jetën nga fillimi, duke qenë se lindën prapë fëmijë e përtërinë shtëpi, a mund të thuhet se atdheu është i grave? A do të duhej që ato ta nënshkruanin të parat pavarësinë mbi “Njuborn?
Me këto nënshkrime do të bëhej vërtet, burrëri. Veçse, a e dini ju se madje – jo një shtatore gruaje, në emër të të gjithave, po madje as një pllakë e thjeshtë përkujtimore nuk është bërë për to as vënë kund në Kosovë! As është shtruar kjo çështje, në shenjë nderimi e përkujtimi të këtyre grave me vuajtje kaq të mëdha! Pikërisht për këtë përkujtim njerëzor, e për nevojën e kësaj pllake përkujtimore kam shkruar 3-4 herë në revistë, por që askush nuk e ka parë të arsyeshme të flasë, madje as deputetet e kuvendit tonë, me drejtuesen e të cilave e kam bërë ‘dert’ këtë punë! Para asaj shtatoreje a pllake – do të duhej së paku një herë në vit të shkohet e të përkulemi, me tërë fisnikërinë njerëzore!
Pse është bërë kaq e vështirë të shkruhet e të flitet për luftën. Pse misionet ndërkombëtare dhe kastat tona udhëheqëse gati na detyruan të harrojmë dhunshëm?
Gjithmonë është thënë se historia që harrohet – përsëritet! Të çlirohesh, domethënë ta fitosh lirinë, nuk do të thotë ta harrosh të kaluarën e afërt, të harrosh ngjarjet e tmerrshme, të merresh vetëm me të sotmen ose me vetveten, siç po ndodh. Ambasadori William Walker e thotë shumë qartë në këtë libër: …” edhe fëmijët që do të lindin duhet të mësojnë për Reçakun, jo për të nxitur urrejtje të vjetra, as për të provokuar armiqësi të reja, por për t’u siguruar se diçka e tillë nuk duhet të ndodh kurrë më!”
Vetëvrasjet e sotme-pasojë e së shkuarës!
Sa jemi shëruar nga traumat që na i la lufta, tash kur ajo i takon së kaluarës?
Menjëherë pas përfundimit të luftës, ne në redaksinë e revistës TEUTA, i kemi pas botuar dy numra specialë dhe gratis pikërisht lidhur me zbutjen e traumave të popullatës, titulluar – “Rehabilitimi i familjes pas luftës” dhe “Rikthimi i fëmijëve të traumatizuar në jetë”. Në këtë aspekt është dashur të punohet shumë, sidomos me gratë e fëmijët. Pasojat e luftës janë shumë të pranishme edhe pas dhjetë vjetësh, kjo, sipas profesionistëve, është pritur të ndodh, sidomos te fëmijët, që tani janë rritur. Rastet me përfundime fatale mbase flasin për këto pasoja lufte…
A planifikoni ta përktheni serbisht dhe anglisht kronikën tuaj rrëqethëse të luftës?
Përkthimi i librit, madje në disa gjuhë, duhet të bëhet patjetër, por së pari në gjuhën angleze, sipas mesazhit të ambasadorit Walker. Kjo është kërkesë e të gjithëve dhe në
këtë drejtim është kah punohet.
Helena Kadare: Libri i gazetares, Sanije Gashi, është shërbimi më i madh që ajo i ka bërë popullit të vet, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.


