Këshilltar i Presidentes së Kosovës, Deda Ilir, thotë se Rezoluta 1244 e OKB-së nuk korrespondon me situatën në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar se opsioni më real për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, është modeli i dikurshëm i Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore. “Ky model është opsioni më real për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve të reja midis dy shtete. Më pas do të ndodhë stabilizimi i plotë i situatës në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Deda në një intervistë për të përditshme e Novi Sadit, Dnevnik. Ai ka shtuar se është e dhembshme kur sheh Beogradin se si merret me synime të tejkaluara politike, duke vlerësuar se kjo politikë dëmton Serbinë e më së shumti serbët e Kosovës. Deda ka thënë se dy të tretat e serbëve të Kosovës pranojnë autonominë që ua garanton Kushtetuta e Kosovës, dhe se këtë duhet ta bëjnë edhe serbët në veri të Ibrit. Ai thotë se askush nuk e kushtëzon integrimin e Serbisë me njohjen e Kosovës, sepse është në interes të Kosovës që Serbia të përparojë drejtë BE-së, pasi kjo nënkupton dhe sjelljen dhe përgjegjësitë evropiane të saj. /Telegrafi/


