Turizmi është lokomotivë e zhvillimit ekonomikë nëpër të gjitha shtetet
Kosova mund t’i joshë vizitorët e huaj me bukuritë natyrore si Bjeshkët e Rugovës, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe shumë bukuri që mund të jenë atraksion për shumë vizitorë të huaj. Kohë më parë, një grup turistësh nga Londra qëndroi në Kosovë. Ndonëse nuk ka det, Kosova mund t’i joshë vizitorët e huaj me bukuritë natyrore si Bjeshkët e Rugovës, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe shumë bukuri që mund të jenë atraksion për shumë vizitorë të huaj. Kosova cilësohet si njëri ndër vendet me më së shumti bukuri natyrore në Evropë. Por, ende mungon marketingu nga institucionet për t’i bindur të huajt për ta vizituar Kosovën. Thuajse për çdo javë dhjetëra turistë nga vende të ndryshe të botës po qëndrojnë për pushime në vendin tonë, duke vizituar malet e bukura të Rugovës, rrjedhjen natyrale të ujit prej qindra metrash në ujëvarën e Mirushën, por edhe monumente tjera të bukura në vendin tonë. Zekë Çeku, prej kohës drejton asociacionin kosovar të turizmit në Kosovë dhe thotë se në dy vitet e fundit ka filluar të ngjallet turizmi dhe të rritet interesimi për Kosovën. Por, sipas tij duhet është shumë punë Institucionale që situata në këtë drejtim të ndryshoj dukshëm.
“Turizmi është lokomotivë e zhvillimit ekonomikë nëpër të gjitha shtetet. Të gjithë kanë menduar se Kosova s’ka deti dhe nuk kemi çka flasim për turizëm, por Kosova ka shumë vende atraktive për të cilat interesohen njerëz edhe nga Amerika, Londra, Gjermania, Franca dhe shumë vende tjera të Evropës. Ne nuk duhet të investojmë shumë nëpër vende turistike sepse ato janë dhunti natyrore, por ne duhet të investojmë marketing dhe ta promovojmë turizmin”, tha ai. Çeku e vlerëson ndihmën e GTZ-së dhe USAID-it që ka promovuar shumë turizmin e Kosovës dhe ka bërë që shumë njerëz nga Evropa të interesohen për vendin tonë. Sipas tij, GTZ-ja në dy vitet e fundit ka punuar në definimin e produkteve turistike në Bjeshkët e Nemuna dhe me Malet e Sharrit, sepse në këto dy vende është i koncentruar i tërë potenciali i turizmit.
Ai thotë se ndërkombëtarët që punojnë dhe jetojnë në Kosovë janë klientët e parë që duhet t’i bëjmë që gjatë vikendit të qëndrojnë në Kosovë.
“Mysafirët e parë të cilët i konsiderojmë si treg potencial janë ndërkombëtarët që punojnë dhe jetojnë në Kosovë. Para disa kohe këta kanë dal vikendit jashtë Kosovës dhe tash ata qëndrojnë në Kosovë dhe qëllimi ynë ka qenë ky që t’i ndalim dhe të hollat e tyre të mbesin në Kosovë dhe jo, jashtë”. Çeku thotë se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet numri i të huajave që po vizitojnë bukuritë natyrore është shumë më e madhe, mirëpo sipas tij ende nuk është rritur sa duhet. Bujar Kuqi, drejtori i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), thotë se ka të interesuar për ta vizituar Kosovën, por ai nuk tregon se sa është ky numër i të interesuarve.
“Nuk është bërë ndonjë sondazh se sa turistë po hyjnë në Kosovë nga vendet e jashtme. Interesimi po rritet për ta vizituar vendin tonë. Kjo shihet në kërkesat që bëhen te ne për çdo ditë e më shumë, për informata të ndryshme në lidhje me bukuritë natyrore të Kosovës”. Ai tha gjithashtu se MTI-ja po mundohet të krijojë kushte dhe standarde të mira turistike duke licencuar hotelet dhe agjencitë që me organizimin e pakove turistike të joshin turistët e huaj. “Nga kontaktet që ne kemi me komunitetin e biznesit, është një interesim i madh për ta vizituar Kosovën dhe presim që ky interesim të rritet gradualisht sepse Kosova është një vend që ende nuk është i njohur shumë në arenën ndërkombëtare”, tha Kuqi.
Kosovarët duhet të jenë të vetëdijshëm për vlerat që i kanë dhe ato duhet t’i ruajnë, sepse të tjerët nuk i kanë. Bjeshkët, lumenjtë dhe liqenet që i ka Kosova mund të përjetohet si vend i ri në tregun turistik ndërkombëtar në Evropë, po edhe në botë.


