Mirsad KUTELI
Ditëve të fundit, Shtëpia Botuese “Ura” botoi libri me titull “Por…” të poetit Valmir Tertini.
Në vargjet e këtij libri, autori paraqet përjetimet e tij, mund të themi realistike pa elemente fiktive, ku lirshëm shpërfaqet çiltërsia rinore. Kjo kuptohet edhe nga përkushtimi dhe dedikimi i vargjeve. Në këtë kuadër, autori mundohet ta trajtojë një gamë të gjerë, por shpesh ndalet te qerthulli që e rrethon atë, edhe pse herë-herë mëton të dalë edhe tek ajo postmodernja, si konsekuencë e dëshirës dhe dashurisë së tij për rock-muzikën, kontemporanen dhe artet mediale.
Ballina e librit të Valmir Tertini “Por...”
Ai mundohet ta zbulojë enigmën, por pa hetuar futet në enigmë.
Deskripcioni i kësaj vepre është i ndryshueshëm dhe nuk i përmbahet konturave të një vije poetike gjatë paraqitjes së ngjarjeve dhe rrethanave kohore e hapësinore herë të detajuara e herë në forma të shkurtuara.
Shquhet për nga stili i veçantë, përmbajtja e larmishme me motive mondane, me një strukturë jo të rregullt të vargut poetik.
I është qasur temave të ndryshme, por veçanërisht është fokusuar në tema sociale që e preokupojnë një poet të ri në ditët e sotme.
Poeti shpërfaq realitetin jetësor në formë recitali, duke e gërshetuar atë me kontradikta, kombinime fjalësh, mozaik fjalësh etj.
Poezia e Valmirit që nga lexuesit mbase mund të duket e thjeshtë dhe jo e lidhur për kah konotacioni semantik, ajo megjithatë aludon në një kronologji fjalësh, të cilat në aspektin figurativ përmbajnë atë tërësinë që mund të kuptohet si unison. Pikërisht kjo është edhe e veçanta që e dallon atë, me një stil krejtësisht tjetër dhe të ri, përmes të cilit, ky poet i ri përpiqet ta trajtojë poezinë moderne. Mirëpo, ai prapëseprapë në disa vargje, nuk mund ta evitojë strukturën tradicionale të vargjeve të rimuara, të cilat hasen mjaft rrallë në këtë libër, por që shërbejnë si dëshmi e kohës.
Libri me poezi i titulluar “Por...” i poetit Valmir Tertini konsiston në 5 episode, siç dëshironte t’i paraqesë autori. Katër episodet e para përmbajnë nga dhjetë poezi dhe fundi i episodeve ka dhjetë poezi të përkthyera në gjuhën angleze. Pas çdo episodi janë cituar nga dy thënie të këngëtarit legjendë, kantautorit të mirënjohur Jim Morrison.
Në përfundim të cikleve në gjuhën shqipe janë thëniet e përkthyera, ndërkaq, në mbarim të ciklit në gjuhën angleze janë vendosur thëniet origjinale. Andaj, kjo strukturë mbase e ka justifikuar që të quhet filmpoezi. Kjo tendencë e autorit vërehet edhe në mënyrën se si i titullon poezitë e tij si Hyrje pa shirit, Dyshifror, Connect, Tension, Lartë-poshtë, Citat antonim, Portret, etj.
Libri ka një strukturë variabël të poezisë që nganjëherë shëmbëllen atë tradicionalen, por që në tërësinë e saj ngjajnë si një përplasje fjalësh, qoftë si bashkërenditje, qoftë si kundërvënie. Prandaj, kjo mënyrë e të shkruarit e cyt lexuesin të meditojë në mosdefinimin autentik të zhanrit të veprës.
Libri konsiston në një gamë të gjerë të poezive me një diversitet motivesh të shkruara në kohë të ndryshme.
Tertini në shumicën e vargjeve i qaset temave sociale dhe synon të zbulojë intrigat dhe misteret e shoqërisë.
Autori në mënyrë interesante shpërfaq një lojë fjalësh, përmes të cilave ndërton një tip të veçantë të poezisë.
Në përgjithësi, mund të themi se autori pasqyron jetën shoqërore të kohës në të cilën jeton. Edhe përkundër dëshpërimit me realitetin jetësor, ai motivohet dhe prapëseprapë është optimist dhe kurajohet, duke shprehur ndjenjën dhe dashurinë e përflakur që ka për poezinë dhe jetën.
Mbase autori ka mundur të pleks figura më të bukura letrare, që jo vetëm se do ta pasuronin këtë libër letrar, por njëherësh edhe do të shërbenin për thellim edhe më tej në shtresat e gjera të letërsisë.
Libri me titull “Por...”, jo vetëm se është simbolikë për mëdyshje, dilema, etj, por gjithashtu lë të hapura alternativat me të cilat përballemi në çdo hap të jetës.


